Bruksel – Brukseli njihet edhe si kryeqendra e Bashkimit Europian, por në kushtet e pandemisë, ka vendosur të ndalojë ushtrimin e prostitucionit deri tani një aktivitet i ligjshëm në qytet. Belgjika ka ndër raportet më të larta të vdekshmërisë nga koronavirusi për banor në botë.

Kryeqyteti belg ka ndaluar ushtrimin e prostitucionit në disa zona të vetat për të bllokuar valën e koronavirusit që po rrezikon komunitetin.

Në lagjen e Alhambrës, vetëm disa metra nga godina e Komisionit Europian, prostituimi është tani i paligjshëm dhe tri motele që përdoreshin për qëllime të ngjashme janë mbyllur.

24-vjeçarja, Magdalena, nga Maroku punon prej tri vitesh në Bruksel në këtë sektor dhe thotë se do vazhdojë ta ushtrojë pavarësisht pengesave.

“Është idiotësi sepse njerëzit mund të shkojnë në bare, të takohen dhe të bëhen bashkë. Të ndalësh prostitucionin kështu nuk ka kuptim.”

Ndalimi i aktivitetit megjithatë mendohet se po e përball me vështirësi këtë komunitet.

Në tri muajt e parë të pandemisë kur Belgjika aplikoi karantinë kombëtare, një nga aktivistet për të drejtat e punonjësve të seksit tregon se u shtuan varfëria dhe vuajtjet e tyre.

“Për personat që punojnë në atë zonë, dekreti i qytetit të Brukselit do jetë shkatërrimtar. Me këtë, qyteti po heq dorë nga mbrojtja e tyre, po i lë pa ushqim, pa një strehë, pa asgjë.”

Prostitucioni në Belgjikë nuk është i ndaluar me ligj, po u lihet rajoneve të ndryshme ta lejojnë apo jo.

Kryebashkiaku i Brukselit thotë se masa që ai ka propozuar ka qëllime përtej shëndetit publik.

“Kur pengojmë veprimtarinë normale të bareve dhe kafeneve, nuk ka si ta lejojmë një aktivitet ku gjasat për ta shpërndarë virusin janë më të mëdha. Sidomos prostitucioni në rrugë, për mua, nuk ka vend në qytet dhe as në shoqërinë tonë. Ne duhet t’u ofrojmë këtyre njerëzve si të dalin nga ky model jetese jashtëzakonisht i dhunshëm, jashtëzakonisht brutal.”

Në Belgjikë kanë selitë Bashkimi Europian dhe NATO-ja.

Vendi më 18 mars kufizoi jetën publike për shkak të kovidit-19, që deri tani ka vrarë 10 mijë njerëz dhe ka infektuar mbi 110 mijë të tjerë.

/Lexotani.com/

Ardit Kuqa Lajme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *