Njerëzit do harrojnë se ç’the, njerëzit do harrojnë se ç’bëre, por njerëzit kurrë nuk do harrojnë sesi i bëre të ndihen. – Maya Angelou

Si u ndjetë kur mësuat shembjen e Teatrit Kombëtar?
Si u ndjetë kur ngelët të papunë prej COVID-19 dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria?
Si u ndjetë kur kuptuat se investimet e një jete të tërë pune në emigrim, mundi, gjaku etj., për të blerë një apartament të ri, u shkatëruan nga puna e inxhinierëve me standarte europiane?
Si u ndjetë kur kuptuat se fqinji në pallatin përballë vdiq bashkë me familjen e tij, kur ai flinte në banesën e tij të shpallur e pabanueshme nga strukturat shtetërore, si rezultat i një tërmeti të pak muajve më parë?
Si u ndjetë kur shkuat në zgjedhjet lokale dhe opsioni për të zgjedhur ishte vetëm një?
Si u ndjetë kur mijëra studentë protestuan për ditë të tëra në ditë të ftohta dimri dhe nuk fituan asnjë të drejtë që e gëzojnë prej dekadash në Kushtetutën Shqiptare?
Si u ndjetë kur fëmijët, vëllezërit, kushërinjtë, shokët, braktisën masivisht Shqipërinë për të gjetur një vend ku sëpaku të vlerësohen për faktin se janë njerëz?
Si u ndjetë kur mësuat se kompani fantazmë me dokumentacion fallco fitojnë tendera publikë në gara jopublike, të fryrë në maksimum në shifra?
Si u ndjetë kur shikuat dhe shikoni vepra madhështore të realizuara nga qeveria në 3D?
Si u ndjetë kur u refuzuam për të disatën herë nga BE dhe gjithnjë e më tepër u vendosën kushte?
Si u ndjetë kur drejtësia aq e këruar për 21 janarin premtohej nga opozita asokohe, dhe nga pozita këtë kohë, nuk ka dënuar fajtorët?
Si u ndjetë kur mësuat se nga një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec vdiqën 26 persona të pafajshëm dhe akoma nuk ka një përgjegjës për këtë?
Si u ndjetë kur humbët gjithçka kishit, me ëndrrën për ti shumëfishuar për 3 muaj në firmat piramidale?
Si u ndjetë…

Përgjatë 30 viteve të ashtuquajturës Demokraci në Shqipëri, mund të gjej pafund akte barbare të shtetit shqiptar për t’i kërkuar përjetuesve të atyre ngjarjeve se si janë ndjerë. Nuk e di si kanë qenë ndjenjat e shqiptarëve përgjatë këtyre 30 viteve, por ajo që di është se ka qenë e njëjta kastë politike në qeverisje. E alternuar. Njëherë njëra palë maxhorancë, dhe tjetra minorancë. Më pas e kundërta. Po ashtu di se shqiptarët janë dëshmitarë për dështimet e njërës apo tjetrës palë. Gjithashtu di se janë dëshmitarë të vjedhjes të xhepave të tyre për 30 vjet.
Por nuk e di pse janë akoma në mbështetje të njërës apo tjetrës palë. Nuk e di pse e kanë më të lehtë të përpiqen të justifikojnë veprimet e liderit të partisë që mbështesin, edhe kur janë të vetëdijshëm që janë veprime të dëmshme, se sa të pranojnë që lideri i tyre është gabim. Nuk e di pse kahët e ndryshëm politik arrijnë të përçajnë dy shok të mirë, dy miq të mirë, apo edhe të përçajnë një familje.

Mesa duket shqiptari është shumë krenar për të pranuar se ka gabuar. Është tepër krenar për ti thënë bashkëbiseduesit: ‘Po, ti ke të drejtë’. Ndihet fitimtar kur arrin të mos mposhtet nga argumentat e ‘kundërshtarit’ edhe kur vetë në brendësi të tij e di se ato argumenta janë të drejta. Kjo krenari në familje, shoqëri, punë, apo kudo tjetër kthehet në bindje ndaj vetes se kurdoherë kemi të drejtë. E kjo bindje kthehet në frikë për të thënë atë që realisht mendojmë, sepse është e ndryshme nga bindja. Kjo frikë vret arsyen, vret aftësinë për të menduar, analizuar e për të nxjerrë përfundime. Frika se përfundimet e nxjerra janë të ndryshme nga bindja, rrëzon krenarinë. Atë krenari që nuk pranon të jesh kritik ndaj vetes. Atë krenari që shqiptarin e ka lënë të vetëm, të përçarë, dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga qarqet politike.
Dhe sot, në 17 maj 2020, kemi një shqiptar krenar, që hipnotizohet nga propaganda, që hipnotizohet nga projektet madhështore të autostradave e aeroporteve në 3D, nga bumi ekonomik (në qeverinë e kaluar ishim të dytët pas Gjermanisë, me qeverinë e sotme jemi aty-aty me Gjermaninë). Kemi një shqiptar krenar që revoltohet ndaj padrejtësive nëpërmjet tastierës së celularit. Kemi një shqiptar krenar që mbron padrejtësitë po nëpërmjet tastierës së celularit. Kemi një shqiptar krenar për vendin e tij të punës të fituar me aq mund e djersë nga përpjekjet e tij gjatë fushatave elektorale, nga mbështetja dhe lobimi i parreshtur për partinë e tij asokohe në opozitë. Kemi një shqiptar krenar për udhëheqësin e tij, i cili do ta çojë nga fitorja në fitore. Kemi një shqiptar krenar për thesin e tij me miell dhe bidonin 1 litërsh me vaj. Kemi një shqiptar krenar i cili fotografohet nga një 10 vetë njëkohësisht kur mer lëmoshën nga shteti. Kemi një shqiptar krenar që u bë pjesë e show-t të radhës së propagandës qeveritare. Kemi një shqiptar krenar i cili po pret vizën nga ambasada gjermane. Kemi shqiptarë krenarë….
Kemi shqiptarë krenarë që nuk e thonë mendimin e tyre. Shqiptarë krenarë që profesionin e shenjtë të mësuesit, mjekut, policit, gjykatësit…, kanë frikë ta përdorin jashtë ndikimit të politikës. Shqiptarë krenarë që janë servilë të përkushtuar të politikës. Shqiptarë krenarë që heshtin në të tashmen, duke shkatërruar të ardhmen. Shqiptarë krenarë pasi adoleshenti që u rrah brutalisht nga policia e shtetit nuk është fëmija i tyre. Shqiptarë krenarë pasi viktima në një aksident i mbajtur i fshehur nga strukturat shtetërore, nuk ishte djali i tyre. Shqiptarë krenarë pasi shtëpia që u prish pa dëmshpërblim nuk është e tyrja. Shqiptarë krenarë që nuk jetojnë në çadër pas tërmetit. Shqiptarë krenarë… duhen faqe të tëra për të thënë sa krenar është shqiptari.
Me gjithë këto krenari, shqiptari ka harruar të ndjejë. Ka humbur ndjenjën. Bashkë me të arsyen. Shkaqet për situatën e keqe ku ndodhet përpiqet t’i heqi nga vetja dhe t’i kërkojë diku tjetër. Bën fajtore politikën. Harron që ajo është produkt i krenarisë së tij. Heqja e përgjegjësive nga vetja e bën përsëri krenar. Është krenar por nuk ndihet i tillë. Nuk ndjen më!

Kristo Kollçinaku, ka kryer studimet Bachelor dhe Master shkencor në Histori, pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht është duke studiuar gjuhën osmane dhe synimi i tij është specializimi në këtë fushë . Ai i njeh shumë mirë zhvillimet historike dhe ka interes të vazhdueshëm mbi diskutimin dhe zhvillimin e temave me kontekst historiko-politik. Fokusi i studimeve të tij janë kryesisht çështjen shqiptare.
Kontakt: kristokollcinaku@gmail.com

Ardit Kuqa Politikë, Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *