Nëse flasim për zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë, mund të pritet të diskutojmë rreth qeverisjes, ndryshimeve të pritshme, reformave, demokracisë etj., Në fakt, ky shkrim do të ketë një qasje ndryshe, me qëllim reflektimin rreth rolit dhe efekteve konkrete që sjellin zgjedhjet në Kosovë mbi zgjedhejt e ardhshme në Shqipëri. Në këtë aspekt, fokus të veçantë do të kenë leksionet demokratike që Shqipëria mund të marrë nga këto zgjedhje dhe si do të pasqyrohet kjo në të ardhmen e saj demokratike?

Siç e dimë, zgjedhjet e djeshme në Kosovë janë pritur e përcjellur me shumë interes nga shqiptarët e kosovës, diaspora dhe fuqitë ndërkombëtare, por jo vetëm. Ato janë ndjekur, komentuar e debatuar gjerësisht edhe në Shqipëri. Andaj, është e pamohueshme që edhe Shqipëria të kenë mësuar disa leksione të rëndësishme drejt rrugës demokratike që po asfalton Kosova.

1. Proçesi zgjedhor

Kur të gjithë presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje me standarte Europiane, do ishte më mirë që në zgjedhjet e ardhshme të zhvilloheshin me standartet e “Kosovës“. 14 Shkurti ishte shuplaka më e mirë demokratike që Kosova i dha Shqipërisë rreth proçesit zgjedhor. Kjo pasi proçesi i zgjedhjeve në Kosovë që në pikënisje ishte i qartë. Data e zgjedhjeve të parakohshme u caktua shpejt dhe më pas fushata zgjedhore zgjati vetëm 10 ditë. Ky proçes mundësoi që populli të votonte, pavarësisht situatës së pandemisë dhe diasporës ti dëgjohej zëri fuqishëm. Si përfundim, brenda 24 orëve u mësua fituesi dhe e gjitha kjo ndodhi pa kontestime të rëndësishme. Prandaj, #VotosiKosova.
Nga ana tjetër, historiku i proçesit të votimit në Shqipëri nuk është shembull për tu ndjekur. Proçesi zgjedhor ka qenë gjithmonë i ngadaltë, miliona të shpenzuara në fushata të stërzgjatura, shit-blerje votash, numërim i ngadaltë, vjedhje kutish e deri tek vota të rinumëruara e të kontestuara deri në themel. 
Për mos të shkuar akoma më tej, populli jonë duhet të vetëdijësohet se është jetike që Shqipëria më 25 Prill të ndjekë shembullin demokratik e të #VotojësiKosova.

2. Lidershipi i ri politik

14 Shkurti ishte një tjetër moment historik i arritjes demokratike për qytetarët e Kosovës. Vetëm me anë të votimit, e arritur kjo në mënyre demokratike, ata vendosën ti refuzonin dhe ti jepnin fund klaneve të vjetra politike. Kjo zgjedhje bëri të mundur që Lëvizja Vetëvendosje të vijë në drejtim si një forcë relativisht e re politike, mbi të cilën qëndron edhe pesha e përgjegjësia e madhe për ndryshim të cilin ja kanë besuar qytetarët e Kosovës. Ky rezultat u mbështet dhe u pranua nga të gjitha sferat duke ndërtuar kështu edhe një formë kulture politike, e ngjashme me atë Amerikane ku paraardhësit duhet ta dorëzojnë stafetën paqësisht, në të mirë të popullit.
Ky lloj ndryshimi që po vjen prej Kosovës, duhet ta ndikojë edhe Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme. E kapluar nga të njëjtat figura politikanësh prej 30 vjetësh, vendi ynë ka nevojë për një ndryshim të ngjashëm. Qytetarët e Shqipërisë duhet të mbështesin forcat e reja demokratike, të cilat ekzistojnë aktualisht, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke votuar masivisht në këtë drejtim. Qartazi kuptohet se qytetarët e vendit tonë janë të lodhur nga klasat e vjetra politiko-klanore, prandaj, ata duhet të jenë më mendjehapur dhe të shohin mundësi të reja përfaqësimi. Gjithashtu, edhe mbështetësit aktualë të këtyre partive të vjetra, kryesisht militantët e rinj të forumeve rinore, duhet të reflektojnë dhe të votojnë në interes të Shqipërisë e jo në interes të partisë. Ata duhet të renoncojnë së qëni mjete propagande të partisë. Ky lloj mendimi do të jetë një katalizator i ardhjes së një demokracie të shëndoshë në Shqipëri.  

3. Roli i Diasporës

Nga pikëpamja historike, roli i diasporës në Kosovë ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, kjo për shkak të kontributit madhor që ajo ka dhënë fillimisht në përpjekjen për pavarësi. Më tej, kontributi i saj është ndierë edhe në fushën socio-ekonomike, kulturore dhe atë politike. Kjo nevojë për përfshirjen e diasporës e ka arritur kulmin në fushatën e fundit zgjedhore në Kosovë. Përgjatë kësaj fushate, diasporës i është bërë thirrje, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, për pjesmarrje në zgjedhje dhe përfshirje në proçeset demokratike të saj. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt kanë luajtur edhe organizatat e shoqërisë civile, kryesisht GERMIN. Ato kanë kontribuar si një urë lidhëse midis institucioneve vendore dhe diasporës në tërësinë e saj.
Në zgjedhjet e fundit diaspora e Kosoves arriti sërish të japë kontributin e saj duke votuar edhe në mënyrë fizike por edhe nëpërmjet rrugëve postare. Pavarësisht se përpjekjes së diasporës për të votuar iu ngritën disa pengesa, asgjë nuk e ndali atë të përmbushte të drejtën e saj kushtetuese.
Në kahun tjetër, situata e diasporës në Shqipëri është paksa më e mjegullt. Për këtë arsye, shembulli që dhanë zgjedhjet e djeshme në Kosovë janë një shenjë pozitive për vendin tonë. Edhe pse e drejta e votës për qytetarët shqipëtarë është e garantuar me kushtetutë, garantimi i votës së diasporës dhe krijimi i kushteve të nevojshme për të votuar, ka mbetur vetëm si premtim politik i klaneve partiake. Kjo situatë e ngjashme e ka shoqëruar Shqipërinë prej disa vitesh.
Nga ana tjetër, ekzistenca 8 vjeçare e fasadës së “Ministrisë së Diasporës“ me në krye Majkon si ministrin e shtetit për diasporën dhe KKD-në si “përfaqësuese“ e kësaj të fundit nuk ka dhënë asnjë rezultat të dukshëm në këtë aspekt. Akoma edhe sot, nuk ka asnjë konsensus të klaneve partiake dhe asnjë vendim konkret rreth lehtësimit të votimit për diasporën, pavarësisht propozimeve që kanë dhënë organizatat e shoqërisë civile. Andaj, në zgjedhjet e 25 prillit duket se edhe njëherë shtetasit shqipëtarë që jetojnë jashtë atdheut duhet të paraqiten fizikisht si mënyrë e vetme për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese, votimin.

Si përfundim, ajo që Shqipëria dhe shqipëtarët duhet të mësojnë për zgjedhjet e 25 Prillit është #VotosiKosova. 

 Ardit Kuqa është menaxher projektesh në fushën e biznesit dhe inovacionit social. Aktualisht punon si menaxher dhe drejtues projektesh në “Etude Plus” në zonën e Parisit. Arditi ka studiuar Inxhinjeri Biznesi, Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ai është i apasionuar pas edukimit dhe sipermarrjes, si mekanizma për të përmirësuar jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. LexoTani është njëra prej disa nismave që kontribuon në këtë aspekt. Arditi është i hapur kurdoherë për bashkëpunime dhe propozime; mund ta kontaktoni në kuqaardit@gmail.com ose në profilin e tij LinkedIn – https://www.linkedin.com/in/kuqaardit-yourchoice/

  

Ardit Kuqa Diaspora, Politikë, Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *